Uashington, 18 prill 2022 – Një zyrtar i lartë amerikan i mbrotjes tha të hënën se beteja për Mariupolin vazhdon ndërsa ka të dhëna se Rusia kishte dërguar përforcime në Mariupol gjatë ditëve të fundit.
Sipas zyrtarit amerikan që foli për gazetarët në kushte anonimiteti, qyteti mbetet i kërcënuar nga ajri, si nga sulmet me raketa ashtu edhe nga bombat, si edhe nga sulmet me artileri.
Zyrtari tha se rreth 76 grupe taktike të batalioneve ruse gjenden aktualisht në Ukrainën jugore dhe lindore, një rritje prej rreth 11 batalionesh, në ditët e fundit.
Edhe autoritetet ukrainase thonë se qyteti strategjik i Mariupolit nuk ka rënë ende nën kontrollin e plotë të Rusisë. Një numër ushtarësh ukrainas vazhdojnë të rezistojnë.
Forcat ukrainase në qytetin e rrethuar të Mariupolit i rezistuan ultimatumit të së dielës nga Rusia për të dorëzuar armët. Ushtarët ukrainas raportohet se ndodhen në fabrikën më të madhe të çelikut në Evropë, Azovstal, e cila është një labirint me shumë hyrje-dalje. Kjo fabrikë është shndërruar në pike të qëndresës së forcave ukrianase, të cilat janë shumë më të vogla numerikisht se forcat ruse.
Nuk dihet numri i civilëve ukrainas që ndodhen brenda fabrikës.
Rrugëve të Mariupolit banorët kalojnë pranë rrënojave të ndërtesave të djegura dhe pranë kufomave të mbuluara me batanije, ndërsa largohen nga shtëpitë e tyre të shkatërruara.
“Erdhëm që të marrim disa gjëra. Duket se janë munduar të futen brenda apartamentit tonë ,por nuk kanë mundur. Të paktën do të marrim diçka. Jemi larguar me pak rroba dimri”, thotë Irina, banore e Mariupolit.
Para fillimit të luftimeve në Mariupol jetonin mbi 440 mijë banorë, ndërsa tani në qytetin e shkatërruar ndodhen rreth 120 mijë banorë.
Ish-shefi i ushtrisë britanike, Richard Dannatt, ka thënë se duket çështje kohe marrja e plotë e kontrollit të Mariupolit nga forcat ruse.
“Forcat ukrainase vendosën të mos e pranojnë mundësinë për t’u dorëzuar. Kam frikë se ky do të jetë një fund i tmerrshëm dhe i trishtuar i luftës heroike nga ata ushtarë ukrainas. Do të përfundojë me Mariupolin plotësisht nën kontrollin rus”, thotë ai.
Moska tha se forcat e saj tashmë e kanë pushtuar pothuajse tërë qytetin.
Mariupoli është porti kryesor që lidh rajonin juglindor të Donbasit, ku ndodhen separatistët pro-rusë, me rajonin e Krimesë, i aneksuar nga Moska më 2014.
“Rusia nuk do të heqë dorë lehtësisht nga ai territor”, thotë zoti Dannat, ndërsa parashikon që pas Mariupolit, forcat ruse do të përparojnë drejt rajonit të Donbasit dhe perëndimit.
(Sipas Zërit të Amerikës)