Uashington, 17 dhjetor 2021 – Rusia tha të premten se po kërkon garanci ligjore, e të detyrueshme, që NATO të heqë dorë nga çdo aktivitet ushtarak në Evropën Lindore dhe Ukrainë, pjesë e një liste kërkesash mbi çështje të sigurisë që dëshiron t’i negociojë me Perëndimin.
Moska parashtroi për herë të parë detaje të kërkesave që ajo thotë se janë thelbësore për uljen e tensioneve në Evropë dhe zbutjen e një krize mbi Ukrainën. Vendet perëndimore e kanë akuzuar Rusinë për një sulm të mundshëm, pas dislokimit të një numri të madh trupash ushtarake në kufi, por Moska e ka mohuar se po planifikon një gjë të tillë.
Kërkesat e Moskës përmbajnë elementë, të tillë si një veto ruse për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, kërkesë që Perëndimi tashmë e ka përjashtuar si mundësi.
Të tjerat do të nënkuptonin heqjen e armëve bërthamore të SHBA-së nga Evropa dhe tërheqjen e batalioneve shumëkombëshe të NATO-s nga Polonia si dhe nga shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, që dikur ishin nën ish-Bashkimin Sovjetik.
Në Uashington, një zyrtar i lartë i administratës tha se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për të diskutuar rreth propozimeve, por shtoi: “se në to, ka disa gjëra që rusët e dinë se janë të papranueshme”.
Zyrtari tha se Uashingtoni do t’i përgjigjet Moskës javën e ardhshme me propozime më konkrete mbi formatin e çdo bisedimi.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara i kanë parë propozimet e Rusisë dhe se Uashingtoni po bisedon me aleatët dhe partnerët e saj evropianë mbi këtë çështje.
Të enjten Rusia tha se ishte gati të dërgonte një negociator të qeverisë “në çdo moment” për të nisur bisedimet me Shtetet e Bashkuara lidhur me garancitë që ajo kërkon.
Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se “Nuk do të ketë bisedime që lidhen me sigurinë evropiane, pa aleatët dhe partnerët evropianë”.
Diplomatët e NATO-s i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Rusia nuk mund të ketë të drejtën e vetos për zgjerimin e mëtejshëm të aleancës dhe se NATO ka të drejtë të vendosë mbi qëndrimin e saj ushtarak.
“Rusia nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk vendos për çështjet që lidhen me NATO-n”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Lukasz Jasina.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se Kievi kishte një “të drejtë, ekskluzive e sovrane” për të orientuar politikat e tij të jashtme dhe se vetëm Ukraina dhe NATO, mund të përcaktojnë marrëdhëniet mes tyre, dhe çështjen e anëtarësimit.
Kievi i kërkoi Moskës që të riangazhohej në një proces paqeje në Ukrainën lindore, ku rreth 15,000 persona janë vrarë në një konflikt shtatë-vjeçar mes trupave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Publikimi të premtes i projektmarrëveshjes të propozuar nga Rusia vjen mes të tensioneve në rritje për një shtim të numrit të trupave ruse pranë Ukrainës, gjë që ka ngjallur frikën e një sulmi të mundshëm rus.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO, kanë arritur në një “pikë të rrezikshme”. Ai vuri në dukje se dislokimet dhe stërvitjet e aleancës pranë Rusisë janë një kërcënim “i papranueshme” për sigurinë e saj.
Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka dislokuar më shumë se 90,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe se mund të jetë gati për ta sulmuar atë, gjë që Moska e ka hedhur poshtë.
Zonja Psaki tha se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me Rusinë prej dekadash dhe nuk e shohin asnjë arsye se pse mos vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, në funksion të garantimit të stabilitetit. Por ajo përsëriti se një gjë e tillë do të bëhet në partneritet me aleatët evropianë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të enjten se presidentët Vladimir Putin dhe Joe Biden, të cilët zhvilluan një bisedë virtuale dyorëshe më 7 dhjetor, mund të bisedojnë sërish përpara vitit të ri, megjithatë ai tha se kjo gjë nuk është vendosur ende.
(Zëri i Amerikës)