Uashington, 22 korrik 2022 – Uashingtoni thotë se ushtria ruse po pëson çdo ditë qindra viktima. Lajmi u bë i ditur të premten nga një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.
Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha se, krahas mijëra ushtarakëve me grada më të ulta – si togerë e kapitenë – në Ukrainë janë vrarë edhe qindra kolonelë dhe shumë gjeneralë rusë.
“Zinxhiri i komandës vazhdon të ketë probleme”, tha i njëjti zyrtar.
Kur kanë kaluar rreth pesë muaj që kur Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës, Moska ka arritur të pushtojnë rreth një të pestën e territorit të këtij vendi.
Të mërkurën drejtori i CIA-s, William Burns, tha se Shtetet e Bashkuara Bashkuara vlerësojnë se numri i të vrarëve në radhët e trupave ruse deri tani ka arritur në rreth 15,000 dhe ndoshta në 45,000 të plagosur. Ai shtoi se edhe Ukraina ka pësuar viktima të konsiderueshme.
Rusia i konsideron secret shtetëror vdekjet në radhët e ushtrisë sësaj edhe në kohë paqeje, andaj nuk i përditëson shpesh shifrat e viktimave të luftës në Ukrainë. Më 25 mars, Moska njoftoi se ishin vrarë 1,351 ushtarë rusë.,
Në qershor autoritetet në Kiev thanë se çdo ditë vriteshin 100 deri në 200 trupa ukrainase.
Shtetet e Bashkuara besojnë gjithashtu se Ukraina i ka shkatërruar më shumë se 100 objektiva ushtarake ruse tejet të rëndësishme brenda Ukrainës.
Që nga fillimi i luftës Uashingtoni ka ndarë për Ukrainën 8 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë. Ndihmë prej 2.2 miliardë dollarësh ka ndarë vetëm muajin e fundit.
Në fillim të kësaj jave, Pentagoni tha se do t’i sigurojë Ukrainës katër sisteme të tjera raketore me lëvizshmëri të lartë (HIMARS).
Rusia thotë se po zhvillon një “operacion special” në Ukrainë për të çmilitarizuar fqinjin e saj dhe për ta çliruar atë sikurse pretendon, nga nacionalistët e rrezikshëm.
Por Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia po synon të pushtojë Ukrainën vendin fqinj të saj e me qasje properëndimore, të çliruar nga Moska me rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
(Zëri i Amerikës)