Zyrtari i NATO-s diskutoi me Kurtin dhe Osmanin për situatën në veri

Prishtinë, 5 korrik 2023 – Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, është takuar të mërkurën në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Kryeministrin, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës njoftoi se kryeministri Kurti, në takimin me z. Goffus, ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka ngritur shqetësimin edhe për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim nga Serbia me autoambulanca.

Kurti ka shprehur përkushtimin e qeverisë së tij për de-eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi,  Kurti ka thënë se BE-ja, me vendosjen e masave ndëshkuese për Kosovën, ka krijuar asimetri në këtë proces.

Ndërkaq, Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani, gjatë takimit me z. Goffus, ka folur për hapat për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që sfidat aktuale të tejkalohen së bashku me partnerët ndërkombëtarë.

“Ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani citohet të ketë thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj pafrtneritetit me NATO-n dhe të kontribuojë aktivisht për sigurinë rajonale.

Vizita në Kosovë e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, realizohet në kuadrin e angazhimeve të faktorit ndërkombëtar për de-eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

(r.m.)