Zyrtari i NATO-s: Prishtina dhe Beogradi të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit

Prishtinë, 6 korrik 2023 – Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën ka thënë se “është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit” dhe se “zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm është një zgjidhje politike”.

“Është gjithashtu thelbësore që të dyja palët të koordinojnë siç duhet veprimet në terren dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të dyja palëve që të angazhihen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe që sa më shpejt të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, Goffus, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit Albin Kurti.

Në takimin e Kurtit me Goffus, Qeveria e Kosovës tha se kryeministri ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” sa i përket arrestimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor kishte thënë se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.

Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë një debati në Parlamentin britanik.

Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.

Misioni i KFOR-it tha se ngjarjet që janë përmendur nga deputetja britanike i referohen vitit 2022 kur “një batalion i ushtrisë britanike ishte angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të NATO-s”.

Ky mision tha se për praninë e pretenduar të armëve të paligjshme është raportuar në shtabin e KFOR-it, por gjatë hetimeve të kryera nuk janë gjetur prova për kontrabandë.

(REL)